**FIFA nis hetim për akuzat e racizmit ndaj IShowSpeed gjatë Kupës së Botës**

Influenceri i njohur amerikan i rrjeteve sociale, IShowSpeed, dyshohet se ka qenë viktimë e abuzimit racist gjatë një ndeshjeje të Kupës së Botës midis Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër, e fituar nga Argjentina me rezultatin 3:2. Lidhur me këtë ngjarje, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur një hetim zyrtar.

Incidenti, sipas FIFA-s, dyshohet të ketë ndodhur më 3 korrik në stadiumin “Hard Rock” në Miami, ku u zhvillua ndeshja e fazës së 1/16-ës së finales. Organizata bëri të ditur se, sapo mori njoftim për rastin, nisi menjëherë procedurat hetimore.

Pamjet filmike, të publikuara në kanalin e tij në YouTube, shfaqin IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., të veshur me fanellën e Kepit të Gjelbër, teksa konfrontohet me një tifoz të Argjentinës në tribunë.

Në deklaratën e saj, FIFA theksoi se Kupa e Botës është një festë e unitetit, diversitetit dhe respektit. “Çdokush që vepron në mënyrë që cenon këto vlera nuk është i mirëpritur në lojën tonë”, thuhet më tej nga organi drejtues i futbollit botëror.

Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi sulmuesi francez, Kylian Mbappé, dënoi publikisht komentet raciste të bëra nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla, të cilat ai i cilësoi si të neveritshme dhe të padenjë për postin që ajo mban. Për më tepër, Federata Franceze e Futbollit ka njoftuar se do të ngrejë kallëzim penal kundër senatores, duke i cilësuar deklaratat e saj si plotësisht të papranueshme dhe të neveritshme.