Forcat e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, kanë ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit. Këto veprime synojnë të dobësojnë aftësitë e Teheranit për të rrezikuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa agjencitë iraniane raportuan shpërthime në portet kyçe të Bandar Abbas dhe Shirik.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet amerikane theksuan se SHBA e mban Iranin përgjegjës për agresionin e fundit dhe të pajustifikuar ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile, të cilat lundronin lirshëm në një nga rrugët ujore më të rëndësishme ndërkombëtare, sipas raportimeve të Euronews Albania.

Operacioni ka si qëllim reduktimin e aftësive të Iranit për të kryer veprime që rrezikojnë sigurinë e transportit detar dhe lirinë e navigimit në Ngushticën e Hormuzit. Kjo ngushticë konsiderohet një korridor strategjik jetik për tregtinë globale dhe furnizimin me energji.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr e Iranit raportoi të mërkurën vonë se shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Bandar Abbas, portin kryesor iranian në Ngushticën e Hormuzit. Raportime të ngjashme erdhën edhe për portin e Shirik, si dhe për provincat Chabahar, Konarq dhe Sistan e Baluchestan. Bombardimet u konfirmuan edhe nga një zyrtar amerikan për Barak Ravind të Axios.

Agjencia tjetër iraniane, Fars, raportoi për “disa shpërthime të dëgjuara në Iranin jugor”, rreth orës 23:15 (ora lokale), në zonat e Bandar Abbas dhe Shirik. Sipas Fars, disa nga shpërthimet u dëgjuan edhe nga deti, pranë bregdetit perëndimor të Shirikut.