Gostivar – Sot shënohet 29-vjetori i ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Gostivar, një ngjarje e pasuar nga ndërhyrja e dhunshme e aparatit shtetëror të Maqedonisë së asaj kohe, kundër vendimit të pushtetit lokal të udhëhequr nga kryetari Rufi Osmani. Ngjarjet e korrikut të vitit 1997 mbahen mend si një periudhë tragjike, me viktima dhe pasoja të rënda për udhëheqësit lokalë.
Në mëngjesin e hershëm të 9 korrikut 1997, forca të shumta policore maqedonase u drejtuan për në Gostivar. Arsyeja ishte ngritja e flamurit kombëtar shqiptar pranë ndërtesës së komunës, një vendim i miratuar unanimisht nga pushteti lokal. Kjo ndërhyrje policore erdhi pasi, natën e 8 korrikut, Parlamenti i Maqedonisë kishte marrë një vendim që ndalonte valëvitjen e flamurit shqiptar.
Në atë mëngjes tragjik, forcat policore arrestuan Rufi Osmanin, atëherë kryetar i komunës, si dhe kryetarin e Këshillit Komunal, Refik Dauti. Po atë ditë shpërtheu revolta dhe protesta e qytetarëve, ndaj policia ushtroi dhunë të egër, duke lënë pas qindra të plagosur dhe disa të vrarë.
Gjatë këtyre ngjarjeve të dhunshme, në mbrojtje të flamurit humbën jetën tre dëshmorë: Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti. Qindra e mijëra qytetarë të Gostivarit, të cilët kishin dalë në protestë për të mbrojtur flamurin kombëtar pasi ai ishte hequr nga godina e Komunës, u maltretuan.
Rufi Osmani, sot profesor universitar, përkujton çdo vit këtë ditë tragjike për Gostivarin dhe shqiptarët kudo. Ai rrëfen: “Kur u zgjodha kryetar i Komunës së Gostivarit, morëm menjëherë vendim që të përdorej edhe flamuri shqiptar në Maqedoni. Kjo kërkesë erdhi edhe pse Shqipëria ndodhej në një krizë të thellë, e njohur si ‘kriza e 97-ës’, dhe Kosova po ashtu. Ne e ndjemë se diçka po përgatitej, prandaj, së bashku me Arbër Xhaferin dhe Alajdin Demirin, realizuam një takim me kryeministrin e asaj kohe, Branko Crvenkovski.”
Osmani shton: “Në këtë takim, i ofrova kompromis Crvenkovskit, për të dalë nga situata. Kompromisi ishte që unë vullnetarisht të shkoja në burg për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa qeveria, gjegjësisht Parlamenti, të sillte ligjin për zyrtarizimin e flamurit kombëtar. Qëllimi im ishte të mos e pësonte populli. Dhe në parim u ra dakord. Këtë mund ta dëshmojë edhe Alajdin Demiri, i cili është gjallë.”
Ai vazhdon tregimin e tij: “Më 8 korrik, Parlamenti i Maqedonisë, në orën 22:00 të natës, miratoi ligjin. Miratimi i ligjit, politikisht, na dha të drejtë, sepse me këtë ligj u abrogua vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por për fat të keq, në orën 24:00, Branko Crvenkovski – i cili për mua vazhdon të jetë një kriminel ordiner – nga pozicioni i kryeministrit dërgoi në Gostivar mbi 5 mijë policë. Në orën 3 të mëngjesit u burgosa unë, u burgos kryetari i Këshillit, dhe më 9 korrik ndodhi masakra e Gostivarit. U vranë tre qytetarë të pafajshëm, u maltretuan me mijëra qytetarë.”
Gjykata Themelore e Gostivarit shpalli fajtor kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duke i shqiptuar 14 vjet burg, e që u reduktuan në 7 vjet në instancën e dytë gjyqësore. U dënua edhe kryesuesi i Këshillit Komunal, Refik Dauti, si dhe kryetari i atëhershëm i Tetovës, Alajdin Demiri, dhe kryesuesi i Këshillit Komunal, Vebi Bexheti.
Ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të kujtojnë një nga ngjarjet më tragjike në mbrojtje të flamurit kombëtar që valëvitej para godinës së Komunës së Gostivarit.
