Rita Ora dhe yje të tjerë, të cilat morën vetë iniciativën për t’u propozuar partnerëve të tyre

Rita Ora është ndër artistet që kanë vendosur të thyejnë traditën, duke marrë vetë iniciativën për t’u propozuar martesë partnerëve të tyre, raporton revista People.

Artikulli përmend edhe emra të tjerë të famshëm që kanë ndërmarrë këtë hap, si Bella Thorne, Sarah Snook, Kristen Bell, Britney Spears, Pink, Lindsey Vonn, Jodie Turner-Smith dhe Elizabeth Taylor. Disa e bënë këtë për të theksuar barazinë në marrëdhënie, ndërsa të tjera thjesht nuk donin të prisnin propozimin tradicional nga ana e burrit.

Këngëtarja me origjinë shqiptare i propozoi për martesë regjisorit dhe aktorit Taika Waititi gjatë pushimeve të tyre në Palm Springs, Kaliforni, në verën e vitit 2022.

Përgjigjja e Waititit ishte e menjëhershme. “Thashë ‘po’ menjëherë”, ka rrëfyer ai më parë për revistën Vogue, duke përshkruar momentin kur Ora i kërkoi dorën. Propozimi nuk ishte aspak një skenë klasike romantike me unazë dhe gjunjëzim, por një moment i thjeshtë dhe spontan.

Vetë Ora ka treguar për Glamour UK se propozimi ishte i thjeshtë: “Dua të martohem me ty. Le ta bëjmë.”

Rita Ora dhe Taika Waititi kishin një miqësi prej rreth gjashtë vitesh, përpara se marrëdhënia e tyre të shndërrohej në romancë. Ata u afruan më shumë gjatë qëndrimit në Australi dhe e bënë publike lidhjen e tyre në vitin 2021. Një vit më vonë, pas propozimit në Palm Springs, çifti u martua në një ceremoni intime në Los Anxhelos, më 4 gusht 2022.

Që nga martesa, çifti ka ruajtur një marrëdhënie private, megjithëse herë pas here ndajnë me publikun fragmente nga jeta e tyre e përbashkët. Waititi ka drejtuar gjithashtu disa nga projektet e saj, ndërsa këngëtarja ka theksuar vazhdimisht mbështetjen që merr prej tij në karrierën e saj, raporton tvklan.

Madje, martesa e tyre shërbeu edhe si frymëzim për muzikën e Rita Orës. Këngëtarja ka zbuluar se kënga “You & I”, pjesë e albumit të saj të vitit 2023, u frymëzua nga marrëdhënia dhe martesa me Waititin.