Autoritetet shëndetësore në Britani kanë lëshuar një njoftim sigurie pasi në disa shishe të një ilaçi të përdorur gjerësisht për dhimbje nervore janë vërejtur grimca të kristalizuara.

Agjencia britanike për Rregullimin e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, MHRA, ka publikuar një njoftim për defekt në disa seri të Gabapentin Relonchem 50mg/ml Oral Solution, një formë e lëngshme e gabapentinës, e prodhuar nga kompania farmaceutike Relonchem.

Gabapentina u përshkruhet miliona pacientëve për trajtimin e dhimbjeve nervore dhe epilepsisë, si dhe për komplikime që lidhen me diabetin apo herpes zosterin.

Sipas MHRA-së, në disa shishe të këtij produkti janë vërejtur kristale, pas një ankese të bërë nga një klient. Hetimi i kompanisë Relonchem ka konfirmuar se këto grimca janë krijuar nga kristalizimi i konservuesve që gjenden në përbërjen e ilaçit.

Autoritetet thonë se kristalet mund të shfaqen nëse produkti ruhet në temperatura më të ulëta se sa rekomandohet.

Seritë e prekura janë të gjitha në paketim 150 ml dhe përfshijnë numrat 09E1, 11E1, 12E1, 13E1, 14E1, 19F1 dhe 21F1.

Sipas të dhënave të publikuara, seritë 09E1 dhe 11E1 janë shpërndarë për herë të parë më 12 nëntor 2025 dhe kanë afat skadence më 1 tetor 2026. Seritë 12E1 dhe 13E1 janë shpërndarë më 2 janar 2026 dhe skadojnë më 1 dhjetor 2026.

Seria 14E1 është shpërndarë më 20 janar 2026, me afat skadence më 1 dhjetor 2026. Ndërsa seria 19F1 është shpërndarë më 8 prill 2026 dhe skadon më 1 mars 2027. Seria 21F1 është shpërndarë më 12 maj 2026 dhe ka afat skadence më 1 prill 2027.

MHRA ka theksuar se kristalet nuk ndikojnë në fuqinë e ilaçit dhe se nivelet e konservuesve në mostrat e testuara mbeten të mjaftueshme. Sipas kompanisë prodhuese, seritë e prekura konsiderohen të sigurta për përdorim nga pacientët.

Megjithatë, profesionistët shëndetësorë janë këshilluar të kontrollojnë shishet para shpërndarjes dhe të kthejnë çdo produkt ku vërehen kristale të dukshme.

Shqetësimi kryesor lidhet me pacientët që e marrin këtë ilaç përmes tubave ushqyes, si tubat nazogastrikë apo PEG. Në këto raste, kristalet mund të shkaktojnë bllokim të tubit, ndaj autoritetet rekomandojnë që të merren në konsideratë forma alternative të barit.

Pavarësisht njoftimit, MHRA nuk ka urdhëruar tërheqjen e produktit nga tregu, pasi gabapentina konsiderohet ilaç i rëndësishëm dhe kritik për furnizim.

Pacientët që kanë këtë ilaç në shtëpi duhet ta ruajnë sipas udhëzimeve në etiketë: të mos e fusin në frigorifer, të mos e ngrijnë dhe të mos e mbajnë në temperaturë mbi 25 gradë Celsius. Autoritetet rekomandojnë që, idealisht, produkti të ruhet në temperaturë mbi 15 gradë Celsius për të shmangur kristalizimin.

Nëse pacientët vërejnë grimca në shishe, ose kanë shqetësime për ilaçin, duhet të kontaktojnë farmacistin ose mjekun për këshillë.

MHRA ka paralajmëruar gjithashtu se pacientët nuk duhet ta ndërpresin papritur gabapentinën pa këshillë mjekësore. Ndërprerja e menjëhershme e ilaçit te personat që e përdorin për epilepsi mund të bëjë që krizat të rikthehen, të ndodhin më shpesh apo të zgjasin më shumë. Ndërsa te pacientët që e përdorin për dhimbje, ndërprerja mund të përkeqësojë kontrollin e dhimbjes.

Çdo pacient që përjeton reaksione të padëshiruara ose ka pyetje për trajtimin duhet të kërkojë ndihmë mjekësore. Autoritetet britanike rekomandojnë gjithashtu raportimin e çdo efekti të dyshuar anësor përmes skemës “Yellow Card” të MHRA-së.

Gabapentina bën pjesë në grupin e barnave të njohura si gabapentinoide, bashkë me pregabalinën. Këto ilaçe përdoren zakonisht për dhimbje nervore dhe disa forma të epilepsisë.

Ilaçi është i njohur edhe me emrin tregtar Neurontin, por gjendet edhe në forma gjenerike nga prodhues të ndryshëm. Ai mund të merret si tabletë, kapsulë ose tretësirë orale, kjo e fundit shpesh e preferuar nga pacientët që kanë vështirësi në gëlltitjen e barnave të ngurta.

Për momentin, mesazhi kryesor i autoriteteve është kujdesi, jo paniku: pacientët duhet ta kontrollojnë produktin, të kërkojnë këshillë nëse shohin grimca dhe të mos e ndërpresin trajtimin pa udhëzim nga mjeku. /GazetaExpress/