**Gjendet e vdekur një shtetase malazeze në Istog, po hetohen rrethanat e vdekjes**

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua, shtetase e Malit të Zi, është gjetur e vdekur të enjten, rreth orës 17:00, në fshatin Banjë të komunës së Istogut.

Sipas raportit policor, ekipi mjekësor i ardhur në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit.