**Panik në fluturimin e Ryanair Selanik-Mynih: Defekt në motor, dritare e thyer dhe pasagjer i plagosur**

Një fluturim i kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut shkaktoi momente paniku për pasagjerët, pasi avioni u përball me një defekt në motor dhe dëmtim të një dritareje në ajër. Incidenti la të plagosur një shtetas serb 61-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, vetëm pak minuta pas ngritjes nga aeroporti “Maqedonia” i Selanikut, në një lartësi rreth 6.000 deri në 6.500 këmbë (1.800-2.000 metra), u raportua një problem teknik në njërin nga motorët e avionit.

Ekuipazhi aktivizoi menjëherë procedurat e emergjencës, ndërsa piloti mori vendimin për t’u kthyer në aeroportin e Selanikut. Avioni u ul në mënyrë të sigurt, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Gjatë kthimit, pasagjerët dëshmuan një zhurmë të fortë dhe dëmtimin e një dritareje të avionit, çka shkaktoi dekompresion brenda kabinës. Menjëherë ranë maskat e oksigjenit, ndërsa pasagjerët ndihmuan një burrë që ishte ulur pranë dritares së dëmtuar.

Pas uljes, një ambulancë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAB) transportoi pasagjerin e plagosur në spitalin AXEPA të Selanikut. Bëhet fjalë për një shtetas serb 61-vjeçar, i cili kishte pësuar dëmtime në qafë.

Më vonë, pasagjerët vazhduan udhëtimin e tyre drejt Mynihut me një avion tjetër të kompanisë. Autoritetet kompetente dhe kompania ajrore Ryanair kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.