Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se rreth 11 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë gjatë këtij viti, numër ky rekord. Nga ky total, 62 zyrtarë janë gjobitur për vonesa në përmbushjen e këtij obligimi ligjor, ndërsa Agjencia ka dërguar edhe shtatë kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për mospërputhje të evidentuara në deklarimet e pasurisë.

Buleshkaj theksoi në një intervistë për Ekonomia Online se procesi i deklarimit këtë vit është realizuar tërësisht përmes sistemit elektronik, gjë që mundësoi një evidentim më të saktë të vonesave.

Ai shpjegoi se disa zyrtarë u liruan nga përgjegjësia ligjore për vonesa, pasi kishin arsye objektive si qëndrimi në spital, jashtë vendit pa qasje në sistem, ose pjesëmarrja në ushtrime ushtarake, siç ishte rasti me pjesëtarë të FSK-së.

Për ata që kishin mundësinë të deklaronin por nuk e bënë, janë shqiptuar gjoba dhe masa disiplinore. Gjithsej 62 zyrtarë publikë kanë marrë gjoba për vonesë që nga 1 janari, ndërsa 19 të tjerë janë qortuar (publikisht ose jo). Gjobat janë shqiptuar për vonesa në deklarimet e rregullta, si dhe ato të lidhura me marrjen apo përfundimin e detyrës.

Gjobat variojnë nga 30% e pagës neto mujore të zyrtarëve, zakonisht midis 250 dhe 300 euro, por mund të arrijnë deri në 500 euro. Mbi gjysma e këtyre gjobave janë tashmë paguar, shpesh me një ulje prej 50% nëse shlyhen brenda dy javësh, siç lejon legjislacioni në Kosovë.

Pavarësisht vonesave, Buleshkaj vlerësoi lart nivelin e përgjigjes, duke theksuar se më pak se 0.5% e zyrtarëve nuk e kanë përmbushur detyrimin në kohë, çka ai e konsideron si një rezultat shumë të mirë edhe në nivel rajonal e evropian.

Ai shtoi se numri më i madh i zyrtarëve të vonuar vjen nga Policia e Kosovës, por ka edhe nga Doganat, ATK dhe zyrtarë komunalë, veçanërisht ata të përfshirë në proceset e transferimit të detyrave në fillim të vitit.

Megjithëse bashkëpunimi me Prokurorinë e Shtetit është në përmirësim, APK mbetet e pakënaqur me trajtimin e kallëzimeve penale. Buleshkaj theksoi se shumë kallëzime hidhen poshtë nga Prokuroria me arsyetimin e mungesës së “dashjes direkte” për veprën penale. Sipas APK-së, mosdeklarimi, pas njoftimeve të shumta (përmes emailit dhe SMS-it), nuk mund të konsiderohet i paqëllimshëm.