Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook pamje nga koncerti i reperit amerikan Kanye West, i cili u mbajt mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Rama e ka cilësuar këtë ngjarje si një investim të rëndësishëm për imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e kryeqytetit.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë shkruan se Tirana përjetoi një “mbrëmje magjike”, duke mbledhur, sipas tij, qytetarë nga 80 kombësi të ndryshme.

“Një investim i shkëlqyer jo vetëm për imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik, por edhe për ndikimin pozitiv në ekonominë e kryeqytetit,” thekson kryeministri në postimin e tij, shoqëruar me videon nga eventi.

Sipas Ramës, organizimi i një eventi të tillë përbën një nxitje të madhe si për promovimin e vendit, ashtu edhe për rritjen ekonomike të Tiranës. Lajmi u raportua fillimisht nga Top Channel.