Lajme

**Arrestohet në Beograd personi i kërkuar nga Interpoli, me dokumente të falsifikuara të Kosovës**

Vuk Vulleviq, shtetas malazez i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër-arrest të kuq nga Interpoli, u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB).

“Gjatë arrestimit, atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara, të lëshuara në Kosovë. Me urdhër të prokurorisë kompetente, ndaj tij do të fillojë procedimi penal, i dyshuar për veprën e falsifikimit të dokumenteve,” thuhet në njoftimin e transmetuar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

MPB-ja serbe bëri të ditur se kundër Vulleviqit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë nga Podgorica, për veprat penale të organizimit të grupit kriminal, si dhe prodhimit, posedimit e trafikimit të paligjshëm të narkotikëve.

Sipas njoftimit, ndaj tij ishte lëshuar gjithashtu një urdhër-arrest nga Departamenti Special për Krim të Organizuar pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, lidhur me veprat penale për të cilat ai kërkohet nga drejtësia malazeze.

Policia konfiskoi dy telefona celularë gjatë arrestimit dhe njoftoi Prokurorinë Themelore të Tretë në Beograd. U theksua gjithashtu se Vulleviq do të dërgohet në Departamentin Special për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Policia malazeze e kërkon Vulleviqin si të dyshuar për pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal të drejtuar nga Vaso Ulliq dhe Radoje Zvicer.

Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi ngriti aktakuzë në korrik të vitit 2024 ndaj 19 personave, të dyshuar për organizimin e një grupi kriminal ndërkombëtar që kishte marrë pjesë në kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë. Nëntë anëtarë të dyshuar të këtij grupi u arrestuan në korrik të po atij viti, ndërsa një pjesë tjetër e të dyshuarve mbetet në arrati.

Autoritetet malazeze të drejtësisë, në kuadër të operacionit të koduar “General”, morën mbështetjen e agjencisë evropiane të policisë Europol, Byrosë Federale të Hetimeve FBI, Administratës për Luftimin e Narkotikëve DEA dhe Policisë Federale të Australisë. Prokuroria Speciale e Malit të Zi identifikoi si udhëheqës të këtij grupi kriminal Radoje Zvicerin, i cili konsiderohet kreu i klanit kriminal “Kavaç”, dhe Vaso Ulliqin.

Vuk Vulleviq ishte mes personave të kërkuar nga policia, krahas Radoje Zvicerit. Në të kaluarën, Vulleviq ka qenë i akuzuar për kontrabandë kokaine nga Venezuela dhe për vrasjen, në vitin 2005, të inspektorit të policisë Slavoljub Shqekiq, por ai është shpallur i pafajshëm nga këto akuza. Policia malazeze e ka përmendur gjithashtu si një nga të dyshuarit për vrasjen e kryeredaktorit të gazetës “Dan”, Dushko Jovanoviq, por ndaj tij nuk është zhvilluar asnjë procedurë gjyqësore për këtë rast.