Rreth 70 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të QKUK-së, me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi, i cili dyshohet se ka ndodhur në “Sach Pizza”. Pacientët filluan të paraqiteshin në klinikë nga dita e premte, më 10 korrik 2026, e deri më 13 korrik të po të njëjtit muaj.

Ata kanë raportuar ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Sipas të dhënave mjekësore, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

Klinika Infektive ka njoftuar se nga ky numër, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi.

Pacientët e hospitalizuar janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në përputhje me gjendjen e tyre klinike. Aktualisht, gjendja e tyre vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm.