Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare nën masa të rrepta sigurie, me gjithë perimetrin e godinës të rrethuar nga gardhe metalike.

Raportohet se deputetët e Partisë Socialiste kanë nisur të hyjnë në ambientet e Parlamentit nga hyrja anësore, në krahun e Akademisë së Shkencave. Hyrja kryesore, si dhe i gjithë perimetri, janë blinduar me gardhe metalike.

Këto masa të shtuara vijnë pas incidenteve të dhunshme të ndodhura gjatë seancës plenare të së enjtes, ku u shënuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Disa protestues goditën me vezë deputetët, çka solli reagimin e policisë dhe shoqërimin e disa prej tyre në komisariat. Njëkohësisht, disa protestues thyen gardhin metalik dhe tentuan të hynin në ambientet e Parlamentit, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës.

Në total, 20 persona u shoqëruan nga policia pas incidenteve para Kuvendit. Si pasojë e përplasjeve, u plagosën 9 efektivë policie dhe u lënduan 5 protestues.