Anëtarja e shoqërisë civile, Aulonë Mehmeti, ka raportuar se po përballet me presion nga zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kjo situatë vjen pas publikimit të një shkrimi në Facebook nga Mehmeti, i cili përshkruante kushtet në Klinikën e Pediatrisë. Ajo thekson se, në vend të një reflektimi institucional ndaj vërejtjeve të saj, ka nisur të ndiejë presion. “Në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar”, ka deklaruar Mehmeti.

Ajo përshkroi dy vizita nga zyrtarë të institucionit në dhomën ku po qëndron me djalin e saj: njëra mbrëmë, rreth orës 23:30, dhe tjetra sot në mëngjes, rreth orës 10:30. “Mbrëmë, rreth orës 23:30, më vizituan në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më kërkuan t’i verifikoj ato që kam shkruar në status. Sot, rreth orës 10:30, më vizituan prapë, me ç’rast më thanë se ato që kam shkruar janë të pasakta dhe më kërkuan edhe raport lidhur me rastin, me gisht drejtuar, duke më thënë se duhet ta shkruaj deri në orën 11:00”, shkroi ajo në Facebook.

Aulonë Mehmeti sqaroi se nuk refuzon adresimin e ankesës nëpërmjet rrugëve institucionale. Megjithatë, ajo theksoi se aktualisht prioritet i saj mbetet kujdesi ndaj djalit, i cili po vazhdon trajtimin në Pediatri.

“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time nëpërmjet rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse. Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që unë mund të shkruaj. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy”, shkroi ajo.

Mehmeti deklaroi se nuk beson që duhet të ndihet nën presion për shkak të kritikave publike lidhur me kushtet e përjetuara gjatë qëndrimit në spital. Ajo e mbylli postimin me një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror: “Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu. Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë”.