Një ngjarje e rëndë me armë zjarri tronditi Pejën të dielën mbrëma, ku një person mbeti i plagosur. I dyshuari për sulmin u vetëdorëzua disa orë më vonë, ndërsa Policia gjeti dhe sekuestroi mbi 100 fishekë dhe armë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 13 korrik 2026, rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Pirro”. Stacioni Policor në Pejë u informua menjëherë për plagosjen.

Njësitet policore reaguan menjëherë, duke gjetur viktimën të plagosur nga arma e zjarrit. Ai u dërgua fillimisht për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile.

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendngjarja. Në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë kompetente policore, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit për të kryer hetimet.

Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime zhvilluan veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit, u bastis edhe shtëpia e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe tre karikatorë.

Më 14 korrik 2026, rreth orës 02:30, i dyshuari u dorëzua vetë në Polici, duke dorëzuar edhe dy armë zjarri, dy karikatorë dhe 15 fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.

I dyshuari, i shoqëruar nga avokati mbrojtës, u intervistua nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit, u dërguar në mbajtje për 48 orë.

Motivi i plagosjes mbetet i paqartë, ndërsa Policia Rajonale e Pejës ka njoftuar se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.