Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) paralajmëron se komunat e vendit pritet të përballen me një dëm financiar prej mbi 86 milionë eurosh gjatë vitit 2026. Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, theksoi në një intervistë për Ekonomia Online se ky do të jetë “viti më i rëndë financiar” për komunat.
Dëmi vjen si pasojë e një sërë faktorësh, përfshirë vendimet gjyqësore, moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, reduktimin e grantit të arsimit dhe përgjysmimin e grantit të performancës.
Ibrahimi bëri të ditur se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 60 milionë euro nga vendimet gjyqësore, shumica e të cilave lidhen me kontratat kolektive.
Një barrë tjetër financiare, rreth 60 milionë euro, pritet të shkaktohet nga moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ministria e Financave, lidhur me normën e përvojës së punës së nëpunësve publikë. Sipas Ibrahimit, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që norma të jetë 0.5% për vit, ndërsa ministri Hekuran Murati e ka zbatuar atë në 0.25% që nga viti 2023, duke shkaktuar kështu dëm të konsiderueshëm.
Po ashtu, një vendim i fundit i Qeverisë së Kosovës ka reduktuar grantin specifik për arsim për rreth 24 milionë euro. Kjo do të nënkuptojë se mbi 3,000 mësimdhënës në nivel lokal do të paguhen nga buxhetet komunale.
Ibrahimi kritikoi edhe përgjysmimin e grantit të performancës për komunat përfituese, nga 4 milionë në 2 milionë euro, duke e quajtur këtë një veprim “të jashtëligjshëm” që shkakton një dëm prej 2 milionë eurosh për pesë komunat përfituese.
Drejtori i AKK-së paralajmëroi se shumica dërrmuese e këtyre mjeteve do të merren nga investimet kapitale, subvencionet dhe mallrat e shërbimet. Ai shprehu shqetësimin se ky trend mund t’i shndërrojë komunat në “njësi administrative” pa mjete financiare për zhvillim, të kufizuara vetëm në shpërndarjen e certifikatave.
Sazan Ibrahimi theksoi se niveli qendror po u transferon komunave përgjegjësi financiare që nuk burojnë nga vendimet e tyre, siç janë kontratat kolektive të nënshkruara nga qeveria qendrore.
Ai paralajmëroi se pasojat financiare do të rëndohen edhe më tej nga kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore, ku avokatët dhe përmbaruesit mund të përfitojnë deri në 30% të shumës së vendosur. Kryetarët e komunave janë ankuar se nuk do të kenë mjete për zbatimin e projekteve të planifikuara me buxhetet e aprovuara shtatorin e kaluar, duke e quajtur këtë një “dëm kolosal të shkaktuar qëllimisht dhe me vetëdije”.
