Të martën, seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër mjekëve – Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli – të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, u shty për shkak të mungesës së dëshmitares, Valbona Kelmendi-Gashi.
Gjykatësi Adnan Kamberi konstatoi se dëshmitarja Kelmendi-Gashi kishte deklaruar se e kishte ngatërruar datën e seancës. Përveç kësaj, ai theksoi se anëtari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, ishte i angazhuar në seancën e pasdites për një rast tjetër, duke pamundësuar zhvillimin e seancës. Data e radhës për këtë gjykim është caktuar më 16 korrik.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prokurorja Javorka Perlinçeviq, i dëmtuari Nazmi Fazliu me avokatin e tij, si dhe të gjithë të akuzuarit me avokatët mbrojtës. Trupi gjykues drejtohet nga gjykatësi Adnan Kamberi, me anëtarët Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, katër mjekët akuzohen se më 20 janar 2016, në QKUK-KGJO në Prishtinë, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore, kanë vepruar me dashje të mundshme, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientes S.F., tani të ndjerë.
Aktakuza thekson se Vjosa Zejnullahu nuk kërkoi mendimin e mjekëve të tjerë nëse pacientja duhej trajtuar në emergjencë apo terapi intensive. Ajo nënvlerësoi ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e tij, duke vlerësuar gabimisht gjendjen dhe duke anashkaluar konsultën me transfuziologun. Për më tepër, ajo e dërgoi pacienten në qendrën urgjente pa dërguar qesen me gjak për analiza, duke e shkatërruar kështu një provë kyçe.
Ndërsa Selman Demolli dhe Myzeine Muja akuzohen se nuk vepruan sipas protokolleve standarde. Ata nuk dhanë rekomandime për konsultë me transfuziologun pasi gjendja e pacientes u përkeqësua dukshëm gjatë transfuzionit, dhe në vend të kësaj, thirrën neurologun Bashkim Sheholli.
Më tej, në aktakuzë thuhet se Bashkim Sheholli, i cili nuk ishte mjeku kompetent për rastin, urdhëroi një procedurë jo në përputhje me protokollin – bërjen e një CT të trurit të pacientes, duke anashkaluar gjithashtu konsultën me transfuziologun. Si ekip, asnjëri prej tyre nuk rekomandoi mbajtjen e qeses me gjak të marrë nga pacientja për analiza të mëtejshme. Këto veprime dhe mosveprime çuan në përkeqësimin e gjendjes dhe vdekjen e pacientes S.F.
Secili prej tyre akuzohet për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas nenit 260, par. 4 lidhur me par. 1 të Kodit Penal.
