Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar me shqetësim pasi Serbia do të nisë të premten raundin e parë të dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoti theksoi se Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka dialogun strategjik me SHBA-në të pezulluar. Ai vuri në pah kontrastin me fqinjin verior, i cili po përparon me këtë dialog.

Hoti po ashtu përmendi refuzimin e Kosovës për t’u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet shpërndarja e gazit amerikan. Ky projekt ka për qëllim uljen e varësisë së vendeve të rajonit nga gazi rus. Ndërkohë, Serbia ka nënshkruar tashmë marrëveshje të rëndësishme kontraktuale energjetike, duke përfshirë importin e gazit amerikan.

Deputeti paralajmëroi se nëse kjo qasje vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike.