Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka mirëpritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për zhvillimin e FSK-së dhe situatën aktuale të sigurisë në nivel vendi dhe rajoni.
Gjenerallejtënant Jashari e informoi ambasadorin britanik mbi arritjet, aktivitetet, operacionet dhe planet e ardhshme të FSK-së. Ai shprehu mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të Forcës, në të gjitha fazat e saj zhvillimore.
Bashkëbiseduesit trajtuan gjithashtu situatën aktuale të sigurisë dhe u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit profesional. Ky bashkëpunim do të fokusohet në fushën e arsimimit, edukimit dhe zhvillimit të liderëve e njësive të FSK-së, me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve operacionale.
Në fund të takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneral Jasharit në avancimin e FSK-së. Të dyja palët konfirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me synim adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
