Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet S.D., R.R. dhe B.T., për vepra penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe korrupsionin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se posedonte 85.61 gramë marihuanë. Ai synonte ta fuste këtë substancë brenda institucionit për llogari të një të burgosuri. Prokuroria sqaron se substanca narkotike ishte fshehur në trupin e tij dhe u zbulua gjatë një kontrolli të kryer nga zyrtarët korrektues, pas marrjes së informatave operative.

Nga ana tjetër, i pandehuri R.R., i cili në kohën e ngjarjes vuante dënimin në të njëjtën Qendër Korrektuese, dyshohet se organizoi dhe koordinoi futjen e narkotikëve në burg, duke nxitur të pandehurit e tjerë që ta kryenin veprën kundrejt një shpërblimi monetar.

Sipas Prokurorisë, edhe B.T. dyshohet se siguroi dhe dorëzoi marihuanën me qëllim futjen e saj në Qendrën Korrektuese. Më tej, ai i ofroi zyrtarit korrektues, S.D., 1 mijë euro ryshfet për të mundësuar futjen e substancës narkotike në institucion.

Për këto veprime, S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa R.R. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre. B.T. përballet gjithashtu me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, për të pandehurin S.D. është kërkuar edhe dënimi plotësues me ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.