Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, pritet të marrë sot detyrën në një ceremoni të pranim-dorëzimit nga ushtruesi i detyrës së deritanishëm, Agron Qalaj. Këtë e ka bërë të ditur zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në njoftim theksohet se akti i pranim-dorëzimit të detyrës do të zhvillohet në ambientet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë.

Emërimi i Gashit u dekretua dje nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Lidhur me këtë emërim, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e rolit të ri të Kryeprokurorit.

Ajo shkroi dje se “beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”.