**Ahmeti dënon deklaratën ‘çnjerëzore’ të ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë**
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të ministres serbe, Snežana Paunović. Ajo shprehu ditë më parë se “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, nëse do të kishte qenë në vendin e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviqit”.
Ahmeti e cilësoi këtë deklaratë si “tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme”. Paunović është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), parti e cila udhëhiqej nga Millosheviqi dhe sot kryesohet nga zëvendëskryeministri aktual i Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas Ahmetit, kjo qasje reflekton politikat kriminale të mentorit të saj. “Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e Sllobodan Millosheviqit, i cili u përball me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij,” theksoi Ahmeti.
Ahmeti shtoi se të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, në kohën kur bota ka dëshmuar vrasje fëmijësh, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe prova të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane. “Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI,” u shpreh ai.
Megjithatë, Ahmeti thekson se historia tashmë e ka dhënë përgjigjen e saj. “Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përkrah aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë,” përfundoi Ahmeti.
