APK prezanton modulin digjital të aftësimit për konfliktin e interesit dhe etikën

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) do të prezantojë të enjten modulin digjital të aftësimit mbi konfliktin e interesit dhe etikën. Ky aktivitet mbahet si pjesë e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të agjencisë.

Sipas APK-së, moduli digjital i aftësimit është krijuar në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Qëllimi është avancimi i njohurive dhe forcimi i kapaciteteve të zyrtarëve publikë në fushën e parandalimit të konfliktit të interesit dhe rritjes së etikës.

Pas prezantimit të modulit, do të zhvillohet edhe një panel diskutimi. Në të do të marrin pjesë përfaqësues nga institucionet publike, shoqëria civile dhe partnerët, për të trajtuar rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe forcimit të kulturës së integritetit në administratën publike.

Ky aktivitet shënon një prej ngjarjeve kryesore të “Javës së Agjencisë”, e cila organizohet në kuadër të festimeve të 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.