Zgjerimi i rrugës QMI-Lipjan: Ministri Basha publikon pamje nga punimet

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nisur zgjerimi i rrugës QMI – Lipjan (N25), duke publikuar pamje nga punimet.

Basha theksoi se ky projekt, me një gjatësi prej 3.8 kilometrash dhe vlerë kontraktuale prej 6.8 milionë eurosh, përbën një investim kyç për përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në këtë segment rrugor.

“Gjatë realizimit të punimeve, janë hasur disa sfida lidhur me infrastrukturën nëntokësore, siç janë sistemi i ujësjellësit dhe mungesa e kanalizimit fekal. Për zgjidhjen e tyre, jemi në diskutim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesit dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim që rruga të përfundohet me cilësi të lartë dhe brenda afatit të parashikuar. Mund të shfaqen pengesa gjatë punimeve, por ne do të qëndrojmë pranë projektit dhe do t’i trajtojmë problemet në kohën e duhur, me synimin që punimet të finalizohen sa më shpejt dhe sa më mirë,” përfundoi ministri Basha.