Rutina 30-minutëshe për një mëngjes pa stres

Rutina e mëngjesit shpesh konsiderohet një sfidë, madje edhe për ata që natyrshëm janë më aktivë në orët e para të ditës. Përballja me një orar të ngjeshur apo kujdesi për familjen mund ta bëjë mëngjesin stresues. Prandaj, një rutinë e mirëmenduar, që synon të përmirësojë gjendjen tuaj shpirtërore dhe t’ju përgatisë për ditën, është thelbësore.

Në këtë kontekst, ekspertët e shëndetit dhe psikologët sugjerojnë një teknikë 30-minutëshe, të ndarë si më poshtë:

**2 minuta – Mendimet e para**
Çastet e para pas zgjimit janë thelbësore, pasi ato vendosin tonin për gjithë ditën. Ekspertët rekomandojnë mendime pozitive, si: “Jam i lumtur/e lumtur”, “Ndihem shumë mirë”, “Më pret suksesi”. Nëse këto mendime nuk vijnë natyrshëm, mund t’i praktikoni duke i përsëritur para se të flini.

**5 minuta – Meditimi dhe frymëmarrja**
Praktikoni teknika qetësuese të mendjes, si meditimi apo lutja, për të nisur ditën me qetësi. Ushtrimet e frymëmarrjes gjithashtu ndihmojnë në uljen e stresit. Shtrirë në shtrat, merrni frymë thellësisht përmes hundës, mbajeni për pesë sekonda dhe nxirreni ngadalë përmes gojës.

**5 minuta – Ditari**
Edhe pse tundimi për të kapur telefonin apo laptopin mund të jetë i madh, ekspertët rekomandojnë të shkruani në një ditar. Kjo praktikë, sipas studimeve, ndihmon në përmirësimin e funksionit të trurit dhe stimulon aftësitë gjuhësore e krijuese, duke rritur kreativitetin gjatë ditës. Shkruani diçka pozitive – si tre gjëra për të cilat jeni mirënjohës ose një objektiv për ditën – për të përmirësuar gjendjen shpirtërore. Nëse shkrimi nuk është i preferuari juaj, dëgjoni muzikë që ju ngre humorin.

**5 minuta – Lista e detyrave**
Krijimi i një liste me detyrat thelbësore të ditës ndihmon në organizimin e punës dhe shmang ndjenjën e mbingarkesës, duke ju lejuar të përqendroheni tek prioritetet.

**10 minuta – Kohë me familjen ose kafshët shtëpiake**
Pas rreth 17 minutave të dedikuara vetes, kaloni 10 minuta me familjen ose kafshët tuaja shtëpiake. Edhe pse mund të jetë sfiduese për prindërit me fëmijë të vegjël, për ata me adoleshentë kjo kohë është e menaxhueshme dhe e rëndësishme për të forcuar lidhjet.

Nëse ju mbeten minuta shtesë pas përfundimit të rutinës, atëherë mund ta kontrolloni telefonin.