Shqipëria po përballet sot me një valë të nxehti, duke shënuar një nga ditët më të nxehta të vitit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Parashikimi u bë nga meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, e cila theksoi se dita e sotme dhe ajo e nesërme do të jenë më të nxehtat e vitit 2026 deri më tani, me temperatura ekstreme që do të përfshijnë pothuajse të gjithë territorin.
Sipas Porjas, “Sot dhe nesër presim ditët më të nxehta të 2026-s. Mund të ketë ditë po kaq të nxehta edhe në fillim të gushtit.” Ajo shtoi se konkretisht për ditën e sotme, parashikohet një maksimum prej 41 gradë Celsius. Ndërsa temperatura maksimale më e ulët, rreth 31 gradë, do të regjistrohet në zonat e thella malore në juglindje të vendit, pjesa tjetër e zonës malore do të jetë gjithashtu mjaft e nxehtë, ndërsa zonat perëndimore do të arrijnë 38-40 gradë Celsius.
Meteorologia paralajmëroi gjithashtu për një valë tre-ditore nxehtësie, e cila do të prekë vendin deri të premten. “Kjo është dita e parë që shënon 40-41 gradë Celsius. Presim që nesër dhe dy-tre ditë të tjera të jenë po kaq të nxehta, madje me rritje të mëtejshme edhe të temperaturave minimale të mëngjesit,” sqaroi ajo, duke shtuar se “nga dita e sotme dhe të paktën deri të premten do të jemi në vlera ekstremisht të larta.”
