Më shumë se 500 persona dyshohet se kanë humbur jetën pas fundosjes së dy anijeve me refugjatë pranë brigjeve të Mianmarit, njoftuan agjencitë e Kombeve të Bashkuara.
Anijet, të cilat ishin nisur nga shteti Rakhine i Mianmarit në fund të qershorit, transportonin kryesisht anëtarë të komunitetit Rohingya, përfshirë edhe persona nga kampet e refugjatëve në Bangladesh. Ata po përpiqeshin të arrinin vende si Malajzia, Indonezia ose Tajlanda, në kërkim të një jete më të sigurt larg dhunës dhe kushteve të vështira të jetesës.
Sipas OKB-së, njëra prej anijeve, me rreth 250 persona në bord, humbi kontaktin menjëherë pas nisjes. Ndërsa anija tjetër, me rreth 280 pasagjerë, mendohet të jetë fundosur më 8 korrik pranë brigjeve të rajonit Irrawaddy, gjithashtu në Mianmar.
Këto udhëtime detare konsiderohen ndër më të rrezikshmet në botë për refugjatët.
Komuniteti Rohingya përballet prej vitesh me persekutim të rëndë në Mianmar, ku nuk u njihet shtetësia. Situata e tyre u përkeqësua ndjeshëm pas grushtit ushtarak të vitit 2021, i cili shkaktoi një luftë civile dhe i la shumë anëtarë të këtij komuniteti të kapur në mes të luftimeve midis ushtrisë dhe grupeve rebele, sipas raportimeve të Reuters.
UNHCR dhe IOM kanë bërë të ditur se rreth 300 persona, përfshirë refugjatë Rohingya dhe shtetas të Bangladeshit, janë shpallur të zhdukur ose të vdekur në Detin Andaman dhe Gjirin e Bengalit vetëm këtë vit. Këtyre u shtohet një tjetër incident i nëntorit, ku një varkë me anëtarë të komunitetit Rohingya u fundos pranë Langkawi-t, në kufirin Tajlandë-Malajzi, duke lënë rreth dymbëdhjetë të mbijetuar.
