Ministria e Sportit dhe Rinisë ka lidhur një kontratë me vlerë gati 400 mijë euro për blerjen e biletave të avionit, të destinuara për udhëtimet zyrtare të stafit të saj. Vlera e saktë e kontratës arrin në 399,741.26 euro.
Kontrata për ofrimin e shërbimeve të transportit ajror i është dhënë operatorit ekonomik “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”. Marrëveshja pritet të nënshkruhet sot, sipas raportimeve të IndeksOnline.
Procedura e prokurimit u zhvillua përmes një gare të hapur, me kriterin e çmimit më të ulët, ku morën pjesë dy kompani.
Kjo është një marrëveshje kornizë me kohëzgjatje 36-mujore, e cila do të sigurojë furnizimin me bileta avioni për udhëtimet e nevojshme të Ministrisë. Dokumentet theksojnë se itineraret e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht, pasi ato varen nga nevojat institucionale.
Vlera e kontratës prej 399,741.26 euro është pothuajse identike me vlerën e parashikuar të prokurimit, e cila ishte vendosur në 400 mijë euro.
