Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe pritet të jetë më e gjatë se zakonisht. Siç ishte paralajmëruar në deklaratat publike të ditëve të fundit, Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë edhe këtë seancë parlamentare.
Ndërkohë, jashtë ambientit të Kuvendit nuk është zhvilluar asnjë protestë, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë nga ana e Policisë së Shtetit.
Rendi i ditës nis me një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Në vijim, deputetët do të diskutojnë dhe miratojnë disa projektligje që adresojnë çështje të sektorit të bujqësisë, menaxhimin e kimikateve, akuakulturën dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.
Gjithashtu, në seancë do të shqyrtohen marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë ratifikimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe marrëveshjen e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje huaje synon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe zgjerimin e projektit me ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Po ashtu, në axhendë është edhe diskutimi i projektligjit për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, si dhe ndryshime në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.
Një pikë tjetër e rendit të ditës është emërimi i një anëtari të Këshillit të Statistikave. Një pjesë e konsiderueshme e seancës do t’i kushtohet miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura, për vitin 2025. Ndër këto institucione janë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Instituti i Statistikave (INSTAT), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), si dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
