Policia konfiskon armë dhe mjete të tjera në Skenderaj

Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e masave parandaluese gjatë sezonit veror, Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh) e Policisë së Kosovës, me mbështetjen e njësive të tjera policore, ka kryer disa operacione në zonën e Skenderajt mbrëmjen e djeshme.

Gjatë kontrolleve të automjeteve në trafik dhe të personave të dyshuar, janë zbuluar dhe sekuestruar: një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë, tri shufra metalike, si dhe objekte të tjera që dyshohet se ishin destinuar ose mund të ishin përdorur për kryerjen e veprave penale.

Lidhur me këto raste, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, janë intervistuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale të nevojshme, në koordinim me prokurorët kompetentë.