Pasagjer sulmon asistente fluturimi, justifikohet me ligjin e shariatit
Në një fluturim të Turkish Airlines nga Turqia për në Dyseldorf (Gjermani), një pasagjer sulmoi një asistente fluturimi, duke e goditur me grusht në fytyrë. Ngjarja ndodhi pasi asistentja i kishte kërkuar atij të ulej, por burri refuzoi të zinte vendin e tij pranë një gruaje. Ai e argumentoi refuzimin e tij duke iu referuar ligjit të shariatit.
Çështja është marrë në dorë nga policia e Dyseldorfit që prej të enjtes, e cila tashmë po e heton atë. Një zëdhënës i policisë tha për gazetën “Bild” se, sipas deklaratave fillestare të dëshmitarëve, burri argumentoi se, sipas ligjit të shariatit, ai nuk mund të ulej pranë një gruaje.
Policia nuk ka mundur të konfirmojë nëse burri u kthye në vendin e caktuar apo ndërroi vend, sipas asaj që shkruan gazeta “Die Welt”. Megjithatë, është e sigurt se policia federale mbërriti në aeroportin e Dyseldorfit pas uljes së fluturimit, për të hartuar një raport për sulmin e ndodhur.
