**Vita kërkon publikimin e rezultateve të analizave nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë**

Kompania e prodhimit të produkteve të qumështit “Vita”, së bashku me Shoqatën e Fermerëve, mbajti sot një konferencë për media, ku i bënë thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të publikojnë menjëherë rezultatet e analizave. Mostrat për këto analiza janë marrë para më shumë se dy javësh.

Përfaqësuesit e kompanisë “Vita” theksuan se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, u kishte premtuar se rezultatet do të bëheshin publike më së voni deri më 10 korrik. Megjithatë, ata shprehën zhgënjimin se, pavarësisht këtij premtimi, deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe rezultatet ende nuk janë publikuar.

Ata kërkuan transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse, duke nënvizuar se publikimi i këtyre rezultateve është thelbësor për interesat e konsumatorëve, fermerëve dhe të gjithë sektorit të prodhimit vendor.