**Fermerët dhe Kompania “Vita” kërkojnë urgjentisht publikimin e analizave të qumështit**
Përfaqësues të fermerëve dhe kompanisë së qumështit “Vita” i kanë kërkuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të publikojë menjëherë rezultatet e analizave të qumështit “Vita”. Kërkesa u bë sot gjatë një konference për media para ambienteve të AUV-it, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e përbashkët, përfaqësuesit kërkuan që këto rezultate të bëhen publike brenda ditës. Elvir Uka, përfaqësues i fermerëve, theksoi se kërkesat e tyre janë në përputhje me marrëveshjen e arritur me Ministrinë e Bujqësisë.
“Sot jemi mbledhur këtu para AUV-it për të prezantuar kërkesat tona, të cilat janë dakorduar mes Ministrisë së Bujqësisë, AUV-it dhe kompanisë ‘Vita’. Bëhet fjalë për disa pika siç jemi dakorduar në takimin e fundit, ku jemi zotuar të bëjmë grumbullimin e qumështit,” u shpreh Uka.
Ai kërkoi publikimin e menjëhershëm të rezultateve të mostrave të marra më 2 korrik 2026 nga qumështi “Vita”, me vendim të posaçëm. Uka shtoi se një publikim i shpejtë do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të qumështit “Vita” dhe do të parandalonte problemet me grumbullimin e qumështit në ditët në vijim, për shkak të stoqeve të krijuara. Po ashtu, ai theksoi nevojën për kontroll urgjent të produkteve të importuara të dyshimta, të cilat shiten me çmime shumë të ulëta dhe ndikojnë tek prodhimi vendor.
“Nuk jemi duke kërkuar diçka të paarritshme, por vetëm publikimin e rezultateve që jemi të sigurtë se deri më tani janë realizuar. Kërkojmë që rezultati i analizave të marra më 2 korrik 2026 të publikohet sa më shpejt,” përfundoi Uka.
Ndërsa, Kushtrim Tigani, përfaqësues nga qumështorja “Vita”, sqaroi se pas përpjekjeve të shumta për të kontaktuar kryeshefin e AUV-it dhe ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, nuk kanë marrë përgjigje. Ai theksoi se posedojnë email-e që vërtetojnë kërkesat e tyre për takim, por ato nuk janë pranuar.
“Ministri më tha se rezultatet do të më vijnë mua më datë 10 korrik, dhe unë jam i detyruar t’ua dërgoj juve si qumështore, ndërsa për konferencë shtypi deri sa t’i përpunoj rezultatet më duhen 3-4 ditë kohë,” citoi Tigani Ministrin Muja, duke shtuar se kompania Vita dhe fermerët janë dakorduar të fillojnë grumbullimin e qumështit nga fermerët.
Fidan Krasniqi, anëtar i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, u shpreh se nuk duan të ndërhyjnë në proces, por kërkojnë vetëm publikimin e rezultateve specifike. “Ministri na ka dërguar një përgjigje se raporti do të publikohet më 27 korrik. Ne nuk duam absolutisht të ndërhyjmë në këtë proces. Ne përkrahim çdo proces në favor të prodhimit vendor,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se fokusi i tyre është tek rezultatet e analizave të qumështit të marra më 2 korrik, të cilat, sipas pretendimeve, flasin për përbërjen e vajit të palmës dhe pluhurit të qumështit. “Këtë po kërkojmë: të krijojmë një qartësi për konsumatorët dhe një siguri tek fermerët, sepse edhe në mesin e fermerëve është krijuar një paqartësi e madhe,” përfundoi Krasniqi, duke vënë në pah shqetësimin për numrin e madh të analizave të kryera.
