**Nis lëshimi i vërtetimeve për xhamat e errësuar të automjeteve: Ja kostoja dhe detajet e procedurës**
Qendra e Automjeteve të Kosovës (QAK) ka nisur lëshimin e vërtetimeve për modifikimet në xhamat e automjeteve, bazuar në procedurën e A-TEST-it. Kjo procedurë, e cila rregullon me dokumentacion errësimin e xhamave të pasëm, hyri në fuqi më 1 prill.
Deri para hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, vendosja e xhamave të zinj në automjete – nëse nuk ishin të errësuar fabrikisht nga prodhuesi – sanksionohej me gjobë, bazuar në Ligjin për Kundërvajtje. Kostoja e vërtetimit të përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara, i cili lëshohet nga QAK, është 80 euro. Një shofer tashmë ka publikuar një shembull të këtij vërtetimi për automjetin e tij.
Para vitit 2024, vendosja e folieve të errëta në vetura, të cilat reduktonin dukshmërinë brenda automjetit, nuk ishte e lejuar me ligj. Ky ndalim bazohej në një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Akti nënligjor theksonte se vendosja e letrave ngjitëse për hijezim në xhamat e automjetit ishte e ndaluar, me përjashtim të automjeteve të institucioneve shtetërore, të cilat përcaktoheshin me vendim të Ministrisë së Brendshme.
Me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, që hyri në fuqi në vitin 2024, errësimi i xhamave në automjet klasifikohej si “vendosje e pjesëve shtesë në automjet” dhe sanksionohej si kundërvajtje me një gjobë prej 40 eurosh. Tani, me procedurën e re, errësimi i xhamave është i lejuar pas marrjes së vërtetimit përkatës nga QAK.
