**Dy konvikte gati në shtator, vitin tjetër nisin investimet për Lojërat Mesdhetare**

Qendra e Studentëve në Prishtinë po zhvillon punime për rinovimin e dy konvikteve, me synimin që ato të jenë gati për të pritur studentët në muajin shtator.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari, theksoi se fillimi i akomodimit do të varet nga afatet e regjistrimit që do të caktohen nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

“Jemi në proces të rinovimit të dy konvikteve, ku po kryhen punime si lyerja dhe rregullime të tjera. Besojmë se gjithçka do të përfundojë deri në shtator. Synimi ynë është që më 15 shtator të fillojë akomodimi i studentëve, por kjo varet nga afati i dytë i regjistrimit që cakton Rektorati,” deklaroi Rudari për EO.

Ai kujtoi se vitin e kaluar, procesi i akomodimit ishte shtyrë për të mos penalizuar studentët që aplikuan në afatin e dytë të regjistrimit.

Lidhur me investimet, Rudari bëri të ditur se gjatë këtij viti nuk janë parashikuar projekte të reja, përveç rinovimeve në objektet ekzistuese.

Sipas tij, investimet më të mëdha pritet të nisin vitin e ardhshëm, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare. Këto përfshijnë ndërtimin e tre konvikteve të reja, mbulimin e pishinës gjysmë olimpike dhe rinovimin e të gjitha objekteve të Qendrës së Studentëve.

Aktualisht, Qendra e Studentëve ka kapacitet për rreth 4 mijë studentë, ndërsa pas realizimit të investimeve të reja parashikohet të arrijë në rreth 5 mijë vende.

Sidoqoftë, sipas Rudarit, kërkesa vazhdon të jetë më e madhe se kapaciteti në dispozicion.

“Zakonisht kemi rreth 6 mijë aplikantë, që do të thotë se rreth 2 mijë studentë mbeten çdo vit pa u akomoduar në konvikte,” theksoi ai.