Dy javë nga ‘Sunny Hill Festival 2026’: Nis numërimi mbrapsht për ngjarjen muzikore më të madhe në Kosovë
Numërimi mbrapsht ka nisur zyrtarisht për edicionin e vitit 2026 të ‘Sunny Hill Festival’, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Kosovë. Vetëm dy javë na ndajnë nga starti i tij, dhe pritet që edhe këtë verë festivali të mbledhë mijëra adhurues të muzikës nga vendi, rajoni e më gjerë.
Përgatitjet për festivalin po hyjnë në fazën përfundimtare. Ai do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, duke premtuar tri netë të mbushura me performanca spektakolare dhe atmosferë unike.
Në krye të programit të sivjetshëm qëndrojnë tre artistë të mëdhenj ndërkombëtarë: Katy Perry, e cila do të performojë në natën e parë; Lewis Capaldi, i cili do të ngjitet në skenë në natën e dytë; dhe superylli i muzikës elektronike Martin Garrix, që do të përmbyllë edicionin.
Përveç këtyre emrave të njohur botërorë, festivali do të mirëpresë dhjetëra artistë të tjerë, vendorë dhe ndërkombëtarë, duke ofruar një program të larmishëm për të gjithë publikun.
Ashtu si në edicionet e kaluara, ‘Sunny Hill Festival 2026’ premton një përvojë të paharrueshme, me katër skena të ndryshme, performanca të nivelit të lartë dhe një atmosferë që e ka shndërruar festivalin në një prej ngjarjeve muzikore më të rëndësishme në rajon.
Me përgatitjet që po shkojnë drejt finalizimit, gjithçka është gati që fundi i korrikut të shënojë edhe një herë rikthimin e festivalit më të madh në vend.
