**Gjykata Italiane Dëmshpërblen Ish-Ushtarakun për Kancerin E Lidhura Me Misionin Në Kosovë**

Një ish-oficer i Forcave Ajrore Italiane do të përfitojë rreth 300 mijë euro dëmshpërblim, pasi një gjykatë në Itali e ka shpallur atë “Viktimë të Detyrës”. Kanceri nga i cili u prek është lidhur me shërbimin e tij gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë, raporton *romatoday.it*.

Gjykata e Velletrit, në një vendim të formës së prerë më 15 korrik, konstatoi se karcinoma në stomak e Nunzio Santuccit, një ish-nënkolonel 75-vjeçar i Aeronautikës Italiane, ishte pasojë e kushteve të veçanta mjedisore dhe operative gjatë misioneve të tij në Ballkan.

Santucci shërbeu për më shumë se 30 vjet në Forcat Ajrore Italiane, në role të ndryshme operacionale dhe drejtuese. Gjatë misionit ndërkombëtar “Joint Guardian” në Kosovë, ai komandoi Grupin e Mbrojtjes në aeroportin e Gjakovës, përgjegjës për sigurinë e kontingjentit italian.

Sipas vendimit të gjykatës, zonat ku ai shërbeu ishin të kontaminuara me azbest, nanopjesëza metalike të rënda dhe mbetje municionesh që përmbanin uranium të varfëruar.

Në vitin 2013, Santucci u diagnostikua me kancer në stomak, një diagnozë që i ndryshoi rrënjësisht jetën. Ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të stomakut dhe dy ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale për shkak të komplikimeve. Edhe sot, ai vazhdon të përballet me pasojat e sëmundjes.

Gjatë procesit gjyqësor, dëshmitarët përshkruan kushtet pas bombardimeve të vitit 1999 në aeroportin e Gjakovës, duke përmendur automjete ushtarake të shkatërruara, mbetje lufte, pluhur dhe terrene të dëmtuara nga shpërthimet. Sipas dëshmive, uji i përdorur nga kontingjenti për higjienë dhe gatim merrej nga burime të kontaminuara.

Ekspertiza teknike e paraqitur në gjykatë e cilësoi mjedisin ku shërbenin ushtarët si “jashtëzakonisht të rëndë” krahasuar me kushtet e zakonshme të shërbimit. Ajo theksoi se Kosova ishte ndotur në mënyrë të konsiderueshme nga nanopjesëza të krijuara nga shpërthimet e municioneve me uranium të varfëruar.

Gjykata i njohu Santuccit statusin “Viktimë e Detyrës” dhe një shkallë invaliditeti të përhershëm prej 65%. Ai do të përfitojë rreth 300 mijë euro, përfshirë dëmshpërblimin, pagesat e prapambetura dhe një pension të përjetshëm, si dhe do të regjistrohet në listën kombëtare të Viktimave të Detyrës në Itali.

Vendimi konsiderohet i rëndësishëm edhe nga pikëpamja juridike, pasi konfirmon se për raste të tilla nuk kërkohet provë absolute shkencore e lidhjes mes ekspozimit dhe sëmundjes. Mjafton të provohet se ushtaraku ka shërbyer në zona me rrezik të lartë dhe në kushte të veçanta mjedisore, ndërsa barra e provës së të kundërtës i kalon administratës.

Avokati Ezio Bonanni, përfaqësues ligjor i ish-oficerit, deklaroi se vendimi “i kthen dinjitetin një ushtaraku që ia kushtoi mbi 30 vjet të jetës shtetit dhe krijon një precedent të rëndësishëm për të gjithë ushtarakët që kanë shërbyer në Ballkan dhe ende presin drejtësi”.