Ndërmjetësues ndërkombëtarë kanë propozuar një armëpushim dhjetëditor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, me qëllim uljen e tensioneve aktuale dhe nxitjen e rifillimit të negociatave.

Nuk është menjëherë e qartë shkalla e avancimit të këtij propozimi. Megjithatë, sipas raportimeve të CNN, ndërprerja e armiqësive do të përfshinte edhe heqjen e kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ky zhvillim vjen pasi Irani ka kryer sulme ndaj anijeve tregtare që kalojnë në këtë rrugë ujore jetike, ndërsa administrata Trump ka rivendosur sanksione të ashpra dhe kufizime ndaj porteve iraniane.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një përgjigje të menjëhershme nëse do të pranonte një ndalim të tillë të armiqësive, por ka pranuar se proceset diplomatike janë në vazhdim.

Një zyrtar amerikan deklaroi se: “Për momentin, Presidenti Trump është i përqendruar që Irani të mbajë përgjegjësi për shkeljet e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe aktet e vazhdueshme të terrorizmit në Ngushticën e Hormuzit.”