Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka deklaruar se ekipet e dikasterit që ai drejton kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve pas reshjeve të dendura të borës.

Basha theksoi se ekipet kanë hedhur kripë për të parandaluar formimin e ngricave, ndërsa ka publikuar edhe pamje nga puna e zhvilluar gjatë orëve të natës.

“Gjatë natës kemi pasur reshje të dendura bore. Ekipet tona kanë punuar pa ndërprerje në autostrada dhe në rrugët nacionale e rajonale, për t’i mbajtur ato të kalueshme. Siç dëshmohet në pamjet e filmuara gjatë orëve të natës, ekipet kanë pastruar borën dhe kanë hedhur kripë për të parandaluar ngricat. Puna vazhdon edhe këtë mëngjes, me ekipet e pastrimit ende në terren. Falënderoj të gjithë ata që punuan gjatë natës për t’u mundësuar qytetarëve qarkullimin normal”, shkroi ministri Basha në rrjetet sociale.

Basha, gjithashtu, u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që “t’i shmangin udhëtimet e panevojshme”.

“Reshjet e borës po vazhdojnë edhe këtë mëngjes. U bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve t’i shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit”, përfundoi ai.