**Përmbyllet me sukses programi “Job Placement Counselling”, certifikohen 33 këshilltarë të punës**
Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur ceremoninë përmbyllëse të programit “Job Placement Counselling”, ku 33 këshilltarë të punësimit u pajisën me certifikata pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit. Ky program synon fuqizimin e këshilltarëve për të përmirësuar shërbimet e punësimit dhe përballimin e sfidave të tregut modern të punës.
Përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e fuqizimit të këtyre profesionistëve. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se programi është përqendruar në zhvillimin e kompetencave të këshilltarëve të punës, duke nënvizuar rolin e tyre gjithnjë e më thelbësor.
“Programi ‘Job Placement Counselling’ ka pasur në qendër zhvillimin e aftësive të këshilltarëve për të orientuar individët, për të kuptuar nevojat e tyre, për t’i informuar mbi të drejtat dhe përgjegjësitë, si dhe për t’i mbështetur në vendimmarrje drejt tregut të punës. Në një kohë kur tregu i punës ndryshon me shpejtësi dhe kërkohen aftësi të reja, roli i këshilltarit nuk është vetëm ndërmjetës mes punëkërkuesit dhe punëdhënësit, por edhe udhërrëfyes, mbështetës dhe promovues i mundësive të barabarta”, u shpreh Hajrullahu.
Ndërsa, ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, theksoi se investimi te qytetarët ndihmon në gjetjen e punës dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai shtoi se punësimi është ndër prioritetet kryesore të ministrisë së tij.
“33 zyrtarët e punësimit, tashmë të certifikuar, do të zbatojnë njohuri të reja, metoda moderne të këshillimit dhe aftësi profesionale në punën e tyre të përditshme. Punësimi mbetet një nga shtyllat kryesore të Ministrisë sonë”, tha Hoti.
Gjithashtu, Mario Eckardt, udhëheqës i projektit “Aftësim për Punësim” nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), theksoi rëndësinë e ndihmës për punësim në tregun e sotëm të Kosovës.
“Kjo është më shumë se një certifikim; është një dëshmi se sot në Kosovë, si dhe kudo tjetër, është më e rëndësishme se kurrë t’u ndihmohet njerëzve të gjejnë vendin e tyre në tregun e punës. Ju tani si këshilltarë jeni edhe trajnerë, edhe mentorë dhe i kuptoni të gjitha barrierat me të cilat njerëzit përballen. Politikat dhe proceset moderne të tregut të punës kërkojnë këshilltarë modernë, dhe më vjen mirë që keni përfunduar këtë trajnim duke përmirësuar dhe avancuar shkathtësitë dhe njohuritë tuaja”, deklaroi Eckardt.
Ceremonia shërbeu si një pikë kulmore për të shënuar përfundimin e suksesshëm të programit, duke vlerësuar kontributin e partnerëve institucionalë dhe ndërkombëtarë, si dhe duke nderuar pjesëmarrësit që kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit.
