**Plevla kundër njohjes së Kosovës, reagon ministri Dukaj: Merruni me problemet e qytetarëve**
Kuvendi Komunal i Plevlës në Mal të Zi miratoi të martën një deklaratë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti malazez. Ky vendim shkaktoi reagimin e ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, i cili i bëri thirrje autoriteteve lokale të përqendrohen te problemet e qytetarëve.
Në një postim në rrjetin social X, Dukaj theksoi se kjo deklaratë “nuk i kontribuon të ardhmes evropiane të Malit të Zi”. Ai kritikoi këshilltarët komunalë të Plevlës, duke thënë se ata “kanë përvetësuar elemente kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë”. Dukaj shtoi se, ndonëse demokracia e mendimit të lirë duhet të shtrihet në të gjitha sferat, kjo nuk duhet të cenojë marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat janë qëllim parësor për vendin.
Ministri i bëri thirrje politikanëve të Plevlës të ndalojnë vendosjen në plan të parë të “ideologjive politike partikulariste dhe rajonale”, të cilat nuk janë në interes të Malit të Zi të sotëm. Ai theksoi se ata u detyrohen qytetarëve të tyre “kushte më të mira për një mjedis të shëndetshëm jetese dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Kjo është komuna e dytë në Mal të Zi që miraton një dokument të tillë, pas Kuvendit Komunal të Zetës. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë kompetenca kushtetuese për të tërhequr njohjen e një shteti. Prandaj, vendime të tilla nuk e ndryshojnë pozicionin zyrtar të Malit të Zi, i cili vazhdon ta njohë Kosovën.
Dokumenti, i propozuar nga Partia Popullore Demokratike (DNP) e Milan Knezheviqit, e cila konsiderohet e afërt me Beogradin zyrtar, nuk përmban një formulim të qartë për “çnjohjen” e Kosovës, siç ka raportuar media “Vijesti”. Megjithatë, aty thuhet se parlamenti komunal i Plevlës “mbetet i përkushtuar ndaj paprekshmërisë së sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
