Sipas Fabrizio Romanos (përmes Bernabeu Digital), kapiteni i Real Madridit, Federico Valverde, është futbollisti i radhës që pritet të nënshkruajë kontratë të re me klubin, pas një serie rinovimesh gjatë dy javëve të fundit.

Los Blancos rinovuan javën e kaluar kontratat me Arda Guler (deri në vitin 2032), Aurelien Tchouameni (deri në vitin 2032) dhe Thibaut Courtois (deri në vitin 2028). Ndërkohë, sot gjatë ditës, madrilenët njoftuan zyrtarisht vazhdimin e bashkëpunimit me Brahim Diazin deri në vitin 2031.

Tani, sipas ekspertit italian të transferimeve, radha është e yllit të gjithanshëm dhe kapitenit të klubit, Federico Valverde, për të firmosur kontratën e re.

Raportimet e fundit kanë bërë të ditur se tashmë është arritur marrëveshja mes Valverdes dhe Real Madridit për një kontratë të re afatgjatë.

Sipas kushteve të dakorduara, mesfushori 28-vjeçar, i cili nën drejtimin e Jose Mourinhos po aktivizohet rregullisht edhe në pozitën e mbrojtësit të djathtë, do të nënshkruajë kontratë deri në verën e vitit 2031.

Pritet që rinovimi të shoqërohet edhe me një rritje të konsiderueshme të pagës për reprezentuesin uruguaian, duke reflektuar statusin e tij si kapiten i klubit dhe një prej lojtarëve më të besuar të trajnerit.

Me marrëveshjen që tashmë raportohet të jetë arritur, rinovimi konsiderohet vetëm çështje formaliteti, pasi kanë mbetur vetëm nënshkrimi zyrtar dhe njoftimi nga klubi.

Valverde pati një sezon të vështirë 2025/26, pasi në pjesën e parë të kampionatit pati disa probleme me ish-trajnerin Xabi Alonso, ndërsa në fazën e fundit u përfshi edhe në një përplasje fizike me bashkëlojtarin Aurelien Tchouameni.

Situata nxiti madje edhe spekulime për një largim të mundshëm të 28-vjeçarit gjatë verës, por as futbollisti dhe as klubi nuk e morën ndonjëherë në konsideratë një mundësi të tillë.

Përkundrazi, Real Madridi ka lëvizur shpejt për t’ia rinovuar kontratën një lojtari që është shndërruar në figurë kyçe nën drejtimin e Mourinhos, duke pasur ndikim të madh në skuadër.

Edhe pse sezonin e kaluar kishte hezitime për të luajtur si mbrojtës i djathtë, mesfushori e ka pranuar më lehtë rolin e ri nën drejtimin e Mourinhos dhe madje ka shkëlqyer në këtë pozitë.

Deri më tani këtë sezon, Valverde ka regjistruar 17 paraqitje me fanellën e Real Madridit, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar dy asistime.

Kësisoj, rinovimi i tij do të ishte një lajm shumë i mirë për Real Madridin, i cili po vazhdon të sigurojë të ardhmen e futbollistëve që përbëjnë bërthamën e skuadrës./GazetaExpress/