Gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, në hyrje të Republikës së Kosovës.

Automjeti ka ngjallur dyshime tek zyrtari doganor për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën është paraqitur në pikën kufitare. Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit.

Bazuar në analizën e rrezikut, zyrtarët doganorë kanë kryer një kontroll të detajuar të automjetit, me ç’rast janë gjetur mjete monetare në vlerë që tejkalon kufirin ligjor prej 10,000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe me dispozitat që rregullojnë deklarimin e mjeteve monetare në kufi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore përkatëse. Me këtë rast është konfiskuar 25% e shumës së mjeteve monetare të padeklaruara, ndërsa për pjesën tjetër është kërkuar dokumentacioni dhe dëshmitë që vërtetojnë origjinën e ligjshme të mjeteve.

Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe procedurat do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të shqyrtimit administrativ dhe ligjor.

“Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10,000 euro ose më shumë, në para të gatshme ose mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore. Mosdeklarimi përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe sjell pasoja ligjore, përfshirë konfiskimin e pjesshëm të mjeteve monetare dhe zhvillimin e procedurave të mëtejshme për verifikimin e origjinës së tyre”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës..

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme, duke kontribuar në parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar ndërkufitar”, thuhet në njoftim..