**”Politikanët serbë të mos shohin ëndrra”, Kadrijaj: Nëse duhet të luftohet, sërish e vesh uniformën**
Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka komentuar deklaratat provokuese të ministres serbe Snezana Paunoviq, e cila pak ditë më parë kishte thënë se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Kadrijaj theksoi se politikanët serbë duhet të pranojnë realitetin dhe të mos “shohin ëndrra me sy hapur”.
“Është mirë të pranohet realiteti dhe të mos shikohen ëndrra me sy hapur. Kosova e ka përmbushur misionin e saj me Serbinë, Kosova ka një rrugëtim, atë evropian. Kosova, në vitet 1998-1999, i ka dhënë përgjigje Serbisë, regjimit të saj, atij të Millosheviqit dhe regjimit që ajo po përkrah pas 30 vitesh. Është mirë që Serbia të shohë orientimin e saj. Kosova i është përgjigjur, Kosova ka luftuar dhe e ka dëbuar me luftë Serbinë”, deklaroi ajo në Klan Kosova.
Kadrijaj shtoi se, në rast nevoje, ajo do ta veshë sërish uniformën për të mbrojtur atdheun.
“Nëse duhet të luftohet, unë do të luftoj. Ne që kemi qenë në luftë dhe e kemi përjetuar atë… Në asnjë mënyrë nuk mund t’i shmangem një detyrimi kur atdheu ka nevojë”, theksoi Kadrijaj.
Paunoviq kishte deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, i njohur si “kasapi i Ballkanit”, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Pas kësaj deklarate, Kosova e ka shpallur ministren serbe person non-grata, ndërsa kjo deklaratë ka nxitur reagime edhe në Tiranë dhe në Bashkimin Evropian.
