Mulliqi: Dialogu strategjik me SHBA-në, interes shtetëror dhe i qytetarëve
Gjino Mulliqi, përfaqësues i një shoqate, deklaroi në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova se dialogu mes SHBA-së dhe Kosovës nuk duhet të shihet si një çështje partiake, por si një interes thelbësor shtetëror dhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Mulliqi theksoi se bashkëpunimi strategjik me Shtetet e Bashkuara është një kapitull i hapur dhe nuk mund të kufizohet nga interesa partiake. “Pse të mos fillojë dialogu strategjik me Kosovën? Ky kapitull strategjik nuk është ndërpartiak, ai i përket popullit, Kosovës, nuk është çështje e një partie të vetme,” u shpreh ai.
Ai shtoi se politikanët e Kosovës duhet të intensifikojnë bashkëpunimin me SHBA-në dhe të marrin seriozisht parasysh kërkesat e tyre. Mulliqi e konsideroi të padrejtë mohimin e një dialogu strategjik ose hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara për Kosovën.
“Nuk kemi ndonjë problem që SHBA-ja ka marrëdhënie me Serbinë, por problemi qëndron te padrejtësitë ndaj Kosovës, e cila është një ndër popujt më të dashur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besoj se politikanët tanë duhet t’i afrohen më shumë qëndrimeve dhe kërkesave të SHBA-së, ndërsa SHBA-ja, Departamenti i Shtetit dhe Kongresi duhet të jenë më të drejtë ndaj Kosovës,” përfundoi Mulliqi.
