Haliti hedh poshtë ndikimin e jashtëm në LDK: “Nuk jemi parti e re që kushdo të na mashtrojë”

Sokol Haliti, sekretar për mërgatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka mohuar se nisma për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, ka ardhur nga ndikime të partive të tjera.

Ai theksoi se LDK nuk ndikohet nga klane brenda apo jashtë saj, duke përfshirë ato të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“LDK nuk është parti e re në politikë, që kushdo të çohet në mëngjes e të tentojë ta mashtrojë, pengojë apo ta orientojë me filozofi politike,” u shpreh Haliti në Tëvë1. “Filozofinë politike, LDK e ka të qartë: ajo është rugoviste dhe perëndimore. Nuk ka vend për politika të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) apo të PDK-së.”

Lidhur me nismën për Kuvendin e Jashtëzakonshëm, Haliti tha se ajo është pranuar dhe respektuar si nga partia, ashtu edhe nga kryetari i saj.

Haliti shprehu besimin se Abdixhiku do të marrë sërish mbështetjen e anëtarësisë në këtë Kuvend.

“Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është legal dhe legjitim, dhe besoj që do të marrë mbështetjen përsëri,” theksoi ai.

Ndërkohë, eksponentë të LVV-së kanë akuzuar se nisma për shkarkimin e Abdixhikut, e cila vjen në kohën kur po zhvillohen bisedimet për formimin e institucioneve të reja, është nxitur nga figura të PDK-së me ndikim brenda LDK-së.

Nga LDK është bërë e ditur se verifikimi i nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm ka përfunduar.

Sipas partisë, ky kuvend pritet të mbahet para datës 7 gusht, që është afati i fundit për formimin e institucioneve qeveritare.