Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë e tij.

Rasti ka ndodhur në oborrin e një stani, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Telegrafin se i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është duke u intervistuar nga policia.

“Dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me të gjitha njësitet relevante policore. Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe aktualisht është duke u intervistuar nga policia. Ky rast është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, ka deklaruar Nikçi.

Sipas tij, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ndërsa pritet që njësitë përkatëse të bëjnë tërheqjen e trupit të viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion.