Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi protestën e zhvilluar sot në Tiranë si një qëndresë historike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për mediet, Berisha falënderoi pjesëmarrësit në protestë.
“Duhet të përshëndes ata dhjetëra-mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra, qytetarë të bindjeve të ndryshme politike që me këtë protestë madhështore, me një revoltë të jashtëzakonshme, nderuan sot më bukur, më mirë, më madhërishëm se kurrë flamurin dhe ditën e kombit në ditën e tyre, në Ditën e Pavarësisë”, u shpreh Berisha.
Ai tha se protesta e 28 Nëntorit e bëri flamurin dhe Pavarësinë shqiptare lajm në mediet ndërkombëtare.
“Sot flamuri ynë kombëtar dhe pavarësia u bënë lajm botëror, hapën emisionet e televizioneve më të mëdha të Europës dhe të botës jo për kalendarin, por për qëndresën, për guximin epik të qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë në protestën e tyre”, tha Berisha.
Berisha theksoi se policia përdori mjete tokësore dhe ajrore, snajperë, gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve, por ata nuk u tërhoqën.
“Në këtë përballje epike, të rinj, të reja, qytetarë dhe qytetare të moshave të ndryshme, të bindjeve të ndryshme, të ardhur nga të katërta anët e Shqipërisë, po dhe të katërta anët e dheut, nga diaspora, zhvilluan një betejë heroike në kushtet më të pabarabarta”, deklaroi ai.
“Ata e mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë për orë të tëra kryesheshin e kombit duke nderuar kështu para së gjithash heroin tonë kombëtar Skënderbeu”, theksoi Berisha.
“Nuk është festuar ndonjëherë Dita e Flamurit dhe kombit si kësaj here”, u shpreh kreu i PD.
