Virusi i Nilit Perëndimor ka shfaqur raste të reja në Evropë, me infeksione të regjistruara në pesë vende: Greqi, Itali, Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut. Me nisjen e sezonit të transmetimit të virusit, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka bërë publike të dhënat e fundit.
Mediat e huaja raportojnë se në Greqi janë regjistruar 21 raste lokale infektimi që nga fillimi i këtij sezoni të monitorimit. Prej tyre, 20 pacientë kanë zhvilluar komplikime neurologjike, ndërsa një ka pasur simptoma më të lehta. Aktualisht nuk është raportuar asnjë vdekje, por 13 persona janë duke u trajtuar në spital.
Sipas ECDC-së, deri më 15 korrik janë konfirmuar gjithsej 33 raste të transmetimit lokal të virusit në pesë vendet evropiane të përmendura. Italia mban numrin më të lartë të rasteve, me 20 infeksione të konfirmuara në 16 zona të ndryshme. Raste të tjera janë raportuar edhe në Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se përhapja e virusit lidhet ngushtë me aktivitetin e mushkonjave, kushtet klimatike dhe lëvizjen e shpendëve të egër. Qytetarëve u rekomandohet të marrin masa mbrojtëse kundër pickimeve të mushkonjave gjatë këtij sezoni të transmetimit.
