Eugen Cakolli, menaxher programi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka kritikuar ashpër vendimin për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit më 6 gusht. Ai e ka cilësuar këtë si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm, duke paralajmëruar për pasoja të rënda kushtetuese nëse dështon zgjedhja e presidentit.
Në një reagim të tij në Facebook, Cakolli theksoi se problemi thelbësor qëndron te afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. Ky afat, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, fillon të rrjedhë nga dita e konstituimit të Kuvendit.
“Caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm. Pjesa më problematike e këtij caktimi lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe njëkohësisht dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit,” shkroi ai.
Sipas Cakollit, një situatë e tillë mund të krijojë një boshllëk serioz institucional nëse procedura e zgjedhjes së presidentit dështon në fund të këtij afati.
Ai sqaron më tej: “Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet, pasi periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit do të ketë përfunduar tashmë. Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, i cili është i vetmi funksion me mandat kushtetues për të shpërndarë Kuvendin, për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për të propozuar mandatarin për Kryeministër.”
Cakolli po ashtu kritikoi mungesën e progresit në dialogun politik, duke theksuar se koha e lënë në dispozicion për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin nuk po shfrytëzohet si duhet.
Ai shtoi: “Aq më keq që, koha që u tha se po lihej në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiake.”
