Tragjedia në Roskovec thellohet: Ndahet nga jeta edhe nëna e familjes, e plagosur nga Refit Buzi

Tragjedia në Roskovec ka marrë një tjetër dimension të rëndë pasditen e sotme. Belera Plaka, nëna e familjes që u sulmua nga 35-vjeçari Refit Buzi, ish-i fejuari i vajzës së saj, nuk i ka mbijetuar plagëve të marra nga arma e zjarrit dhe ka ndërruar jetë.

Ngjarja e rëndë nisi rreth orës 05:00 të mëngjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit Buzi qëlloi me një armë gjahu drejt anëtarëve të familjes së ish-të fejuarës së tij. Si pasojë e sulmit, babai i vajzës humbi jetën menjëherë, ndërsa nëna, Belera Plaka, u plagos rëndë.

Pas aktit të dhunshëm, Buzi mori peng ish-të fejuarën e tij, të cilën e mbajti nën kërcënimin e armës për rreth 5 orë.

Më pas, 35-vjeçari Refit Buzi, autori i ngjarjes së rëndë, u rrethua nga forcat speciale RENEA në fshatin Kurjan. Pas disa orësh negociatash me forcat e policisë, gjatë të cilave ai refuzoi të dorëzohej dhe qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, Buzi u vra nga forcat e rendit.